Haxhiu: Së shpejti protesta e mocion mosbesimi për ndaljen e “PANhajnisë”

00:21 | 10 Prill 2019

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu në Interaktiv të KTV-së ka paralajmëruar se do të ketë protesta të shumta, por edhe mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe ndaljen e “PANhajnisë”

Haxhiu ka thënë se tani është krijuar një momentum i ri për të rrëzuar këtë Qeveri, siç e quan ajo, të skandaleve.

“Kurti para disa ditësh ka përmendur të gjitha skandalet e Qeverisë Haradinaj, dhe pas asaj është krijuar një momentum i ri që të dilet edhe në rrugë për të ndalur Haradinajn. Tani ka shumë arsye që të ndalim PANhajninë. Qysh në momentin e parë Qeveria Haradinaj e ka dëshmuar këtë me rritjen e pagës për veten. Kemi dorëzuar kallëzimin penal dhe tani kjo qeveri është nën hetim. Vendimi për rritjen e pagës ka qenë absurd. E në gjendje të mjerë është edhe sistemi gjyqësor”, ka thënë Haxhiu.

Deputetja e Vetëvendosjes ka përmendur më tutje skandalet e Qeverisë Haradinaj, derisa thekson se afera pronto po bëhet haptazi.

“Haradinaj e fali territorin mbi 8 mijë hektarë, mashtroi qytetarët për liberalizimin e vizave, nënshkroi kontratën më të dëmshme energjetike, atë me ‘Contour Globalin’, 53 milionë euro ndaj Bektel Enkës. Rryma që paguajnë qytetarët për pjesën e veriut. Për të vazhduar më pas që të mos ketë sigurime shëndetësore e me punësimet familjare e edhe me skandalet e fundit siç është ai i Telekomit. E kjo në fakt është pasqyra se çfarë ka ndodhur pas shpalljes së Pavarësisë. Tash afera pronto po na bëhet hapur e kjo është për keqardhje”, është shprehur Haxhiu.

Haxhiu më tutje ka folur edhe për deklaratat e deputetit Shkumbin Demaliaj, për të cilën thotë se janë skandaloze.

“Po të kishte institucione të drejtësisë, e di që ka prokurorë të zotë, por sistemi është i kapur, do të kishte hetime për deklaratat e tij. Mohimi i të drejtës në punësim është vepër penale”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka shtuar se do të ketë protesta të vazhdueshme për të ndalur këtë Qeveri.

“Patjetër që do të ketë protesta. Jemi në takime të vazhdueshme me qytetarët, tashmë kemi qenë në disa qytete. Ajo çfarë është e rëndësishme është se po ftojmë edhe anëtarë të shoqërisë civile, pasi nuk ka qytetar që nuk është i zhgënjyer me këtë gjendje”, u shpreh ajo.

E shumë shqetësuese për të është ikja e madhe e qytetarëve.

“Ikja e qytetarëve është një shqetësim serioz. Na duhet një vetëdije e lartë qytetare që të ndalim këto ikje. Këta tallen me qytetarët duke thënë se këto po paguhen nga Rusia”, ka thënë Haxhiu.

E rrëzimi i Qeverisë do të tentohet të bëhet edhe përmes mocionit të mosbesimit, data për të cilën ajo ka thënë se ende nuk dihet.

“Do të kemi edhe një mocion mosbesimi, nuk e di se kur do të ndodhë. Aktualisht nuk i kemi votat. Momentalisht jemi veç ne edhe LDK-ja, pasi ata që kanë ikur nga VV-ja nuk mund t’i konsideroj opozitë. Këta mund të kenë probleme ndërmjet vete, por janë bashkë e këta i bashkon korrupsioni. E me mocion do të shohim se kush ku është. Nuk mund ta mbajmë një Qeveri në pushtet vetëm për shkak të taksës dhe ushtrisë. Nuk e kemi diskutuar se kur do të dërgohet mocioni në Kuvend, por për këtë do të flasim edhe me LDK-në”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka ritheksuar se protesta do të jetë shumë afër.

“Do të ketë organizime pa ndalë deri në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Këta njerëz përtej vetes nuk shohin asgjë tjetër, e gjendja është jashtëzakonisht shqetësuese. Kërkesa e qytetarëve është që do të duhej një organizim paralelisht kundër Qeverisë e gjithashtu edhe kundër presidentit Thaçi. Duhet një angazhim që prekin direkt interesin e qytetarëve. Duke parë se Thaçi ka bërë një tërheqje, atëherë kemi parë se më mirë është të nisim kundër ‘PANhajnisë’, pa përjashtuar angazhimin kundër projekteve të dëmshme të presidentit Thaçi”, ka thënë Haxhiu.

Ajo më tutje ka folur edhe për prezencën e Agim Bahtirit në një takim që Vetëvendosja e ka mbajtur në Mitrovicë.

“Mendoj se është gabim që i gjithë angazhimi ynë që bëjmë të flitet për prezencën e Agim Bahtirit. Neve na duhen edhe votat e deputetëve të koalicionit për ta rrëzuar Qeverinë. Kushdo që konsideron se Kosova është në gjendje alarmante do të duhej të bashkohej, e ne ftojmë këtu secilin. Në tubimet tona është parë Agim Bahtiri, por nuk mbaj mend se njihet për ndonjë skandal. Qeveria e ka braktisur Mitrovicën. E kam dëgjuar se s’po lejohet që në Kuvend të diskutohet për peticioni. E 60 mijë qytetarë nuk mund të shpërfillen. Ka pasur pengesa të vazhdueshme ndaj Mitrovicës, që është lënë në një harresë të plotë”, ka thënë Haxhiu.

Më tutje ajo ka thënë se në këto organizime janë të mirëseardhur strukturat e LDK-së e krerët e saj. Kudo që po shkojnë thotë se ka anëtarë nga të gjitha subjektet politike.

Ajo ka thënë se do të angazhohen maksimalisht se sivjet të ketë zgjedhje në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara