Haradinaj vizitoi komunitetin egjiptian në Fushë Kosovë, në kuadër të “Javës së Egjiptianëve”

20:02 | 20 Qershor 2019

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot komunitetin egjiptian në Fushë Kosovë, në kuadër të “Javës së Egjiptianëve”.

Kryeministri Haradinaj tha se ky është një moment i mirë për të shprehur respektin dhe falënderimin për angazhimin e sinqertë që ky komunitet ka dhënë në proceset e përgjithshme në Kosovë.

“Ju sigurojë se së bashku me deputetin e këtij komuniteti, zëvendësministra dhe kolegë të tjerë do të punojmë në vazhdimësi për tema me rëndësi për jetën e komunitetit egjiptian. Ne së bashku kemi arritur që me një vendim të Qeverisë, data 24 Qershor, Dita e Egjiptianëve të Ballkanit, të shpallet ditë memoriale dhe të respektohet në vazhdimësi”, tha kryeministri Haradinaj, duke uruar komunitetin egjiptian për shënimin e kësaj dite.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se komuniteti egjiptian ka qenë pjesë e të gjitha proceseve në Kosovë, edhe në luftën për liri, dhe se Qeveria e Kosovës do të bëj përpjekje për përfaqësim të barabartë të këtij komuniteti në institucione, në punësim, por edhe aty ku merren vendime dhe ku diskutohet për fatin e Kosovës.

Nga një fjalë rasti e mbajtën edhe Adriana Hoxhiq, ministre e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi, zëvendësministër në MAPL, Artan Berisha, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Veton Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës, të cilët e falënderuan kryeministrin Haradinaj për përkrahjen që Qeveria ka dhënë për këtë komunitet dhe vendimin që data 24 Qershor të shpallet Ditë memoriale për komunitetin egjiptian në Kosovë./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara