Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë mund të rritet, Presidenti mos t’i përgjigjet dialogut pa u liberalizu vizat

12:33 | 8 Nëntor 2018

Kryeministri, Ramush Haradinaj, vlerëson se presidenti, Hashim Thaçi, nuk do të duhej t’i përgjigjej një takimi në nivel të dialogut pa një vendim për liberalizim të vizave, raporton arbresh.info.

“Nuk di se çfarë mund të diskutohet. Më bënë përshtypje, fakti se Kosova është e gatshme. Është e padrejtë që t’i thuhet Thaçit hajde në dialog, por qytetarët tu nuk do të kenë liberalizim. Disa tema janë krejtësisht bilaterale, por jemi një vend që me respektin më të madh po i përkushtohemi zbatimit të MSA-së,” është shprehur Haradinaj, në ditën kur palët e dialogut pritet të takohen në Bruksel, në orët e mbrëmjes.

Haradinaj paralajmëron se taksa ndaj produkteve të Serbisë mund të rritet, dhe se do t’i qëndrojë besnik këtij vendimi.

“Për taksën jemi n’zor. Derisa Serbia kërcënon familje të vendit tonë, pjesëtarë serbë të FSK-së, s’mundemi pa kufi, dhe deklarimeve të diplomacisë së tyre. Është një masë e cila ka mundësi me u rritë dhe ka mundësi me u marrë edhe masa tjera. Derisa nuk ndërron qasja, nuk do të ndërrojmë qëndrime,” deklaron Haradinaj.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Haradinaj konfirmon se votimi mund të mos vendoset në agjendë në nivel të Këshillit të Ministrave.

“Mungon gatishmëria për të hyrë në agjendë të votimit çështja e vizave. Ministrat po ngurrojnë dhe kanë bindje jo e qartë. Kërkesë e Kosovës është të hyjë në rend dite pavarësisht vendimit që do të merret. Për pak ditë do të jem në Vjenë, po lobojnë vende të caktuara që të hyjnë në agjendë. Ka mundësi, dhe besoj se kur hynë në agjendë ka me u votu. Nuk ka shtete kundër liberalizimit, por nuk e kanë prioritet,” deklaroi Haradinaj.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, thotë se ende nuk është e qartë nëse do të jetë edhe në agjendë të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, para se të jetë në takimin e Këshillit të Ministrave.

“Ambasadorët permanentë duhet të marrin vendim me 55 për qind të votave dhe 64 për qind e popullsisë. Insistimi ynë është që të futet në agjendë edhe tek ambasadorët edhe tek Këshilli i Ministrave,” deklaroi Hoxha.

Këto komente Haradinaj dhe Hoxha i bënë në një konferencë për medie, pas takimit të Këshillit Ministror për Integrim Evropian./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale