Hapet ekspozita “Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë”

19:54 | 3 Korrik 2019

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Fondacioni “Ibrahim Kodra” kanë hapur ekspozitën “Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë”.

Me këtë rast drejtoresha e Fondacionit “Ibrahim Kodra”, Maria Pacolli në fjalën e saj tha se ndihet e lumtur të prezantojë këtë projekt për ekologjinë.

“Jeni të mirëseardhur në këtë ekspozitë të veçantë. Jemi të lumtur të prezantojmë këtë projekt për ekologjinë, artin e ekologjisë. Kemi nisur me Cosmon, një punëtori për artin ekologjik në Muzeun Arkeologjik të Kosovës. Më pas do të ekspozohet në Bienalen e Vjenës, Venedik, Parlamentin Evropian, në Ambasadën e Kosovës në Bernë, Konsullatën e Përgjithshme në Gjenevë. Tani jemi të lumtur të jemi këtu në Kosovë”, u shpreh Pacolli, shkruan arbresh.info.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se kjo ekspozitë për ministrin që drejton ai përçon një nga mesazhet më të rëndësishme atë të mbrojtjes së ambientit.

“Kjo ekspozitë përçon një nga mesazhet më të rëndësishme për neve si ministri atë të mbrojtjes së mjedisit dhe për këtë arsye jemi të lumtur që patëm rastin ta mbështesim këtë ekspozitë dhe poashtu ka për qëllim tjetër që të inkurajoj artisë të rinj nëpër Kosovë e para që të krijojë vepra të këtilla dhe e dyta që përmes këtyre punimeve të dërgojnë tek të gjitha gjeneratat për rëndësinë që ka ruajtja e ambientit”, u shpreh Matoshi.

Ndërsa ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet komplimentoi Fondacionin “Ibrahim Kodra” për punën që kanë bërë.

Ai tha se të rinjtë kanë filluar të kuptojnë problemin me mjedisin dhe shpreson që përmes aktiviteteve do të përmirësohet kjo gjendje.

“Besoj që të rinjtë kanë filluar të kuptojnë problemin që ka të bëjë me mjedisin dhe shpresoj që me aktivitetin tuaj do të përmirësohet kjo gjendje dhe në këtë shtet të bukur dhe mendoj që nuk jeni krenarë sa duhet për vendin që e keni, kështu që mbrojeni vendin tuaj mbrojeni ambientin mjedisin dhe kjo do të jetë shumë mirë për të ardhmen” u shpreh Lebet./arbresh.info

Lajmet më të lexuara