Gashi: Gjeneral Selimi nuk ka marrë asnjë ftesë nga Gjykata Speciale, pritet në të ardhmen

11:13 | 10 Janar 2019

Ndonëse u raportua që Sylejman Selimi, ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të intervistohej nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara, mirëpo për shkak të gjendjes së tij shëndetësore ai nuk mund t’i përgjigjej ftesës, çdo gjë ishte spekulim.

Një gjë të tillë e ka thënë, avokati i Selimit, Tomë Gashi, ku sipas tij Selimi nuk ka marrë asnjë ftesë nga Prokurori Special.

Sylejman Selimi nuk ka marrë asnjë ftesë sa i përket Gjykatës Sepciale, sepse të gjitha ftesat fillimisht duhet t’i dërgohen zyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve të Kosovës që është Nehat Thaçi, dhe pastaj ato mund t’i drejtohen eventualisht personit të caktuar që kërkohen nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar”, ka thënë Gashi për portalin arbresh.info.

Gashi ka treguar se është në negociata me zyrën e Prokurorit Special në Hagë lidhur me dorëzimin e ftesës për Selimin në të ardhmen.

Ne jemi marrë vesh me të, që në formë të shkruar në periudhën e ardhshme ai të dërgoj ftesën me materialin mbështetës për të cilën gjë do t’i përgjigjet Sylejman Selimi pa kurrfarë problemi. Unë kam qenë i vetmi avokat në Kosovë që kam refuzuar thirrjet telefonike nga Gjykata Speciale apo nga zyra e Prokurorit të Special që t’i konsideroj serioze, dhe t’i konsideroj zyrtare, ligjore, meqenëse ato nuk janë as serioze, as ligjore dhe nuk është normale që dikush të ftohet me telefon. Prokurori e ka kuptuar me mirësinë e tij, dhe tani më jemi në komunikim të shkruar. Pra po e përsëris, që Sylejman Selimi nuk ka marrë ftesë për Gjykatën Speciale as për zyrën e Prokurorit Special, dhe në momentin që kjo do të aranzhohet e që besoj se do të bëhet në Kosovë, Prishtinë, atëherë nuk ka arsye që kjo të fshihet. Në momentin që bëhen kushtet ligjore, që ftesa të bëhet së paku 8 ditë para kërkesës së Prokurorit për intervistim, materiali përcjellës, Sylejman Selimi do të përgatitet me ekipin e avokatëve të tij dhe do t’i sqaroj të gjitha dilemat që mund t’i ketë Gjykata Speciale, respektivisht zyra e Prokurorit të Special. Në të ardhmen pritet të marrë ftesë, dhe unë për të mos i akuzuar mediat, ku ka pasur media të caktuara që kanë spekuluar që kinse Gjeneral Sylejman Selimi do të duhej të ishte në Hagë me 9 janar të vitit 2019, dhe ata e kanë përcaktuar edhe kohën në ora 10:00. Ai është në Prishtinë në spital, duke marrë trajtim mjekësor dhe unë jam në Prishtinë. Kanë qenë spekulime të gjitha”, ka thënë ai./V.Berisha/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara