Bytyqi: SBASHK-u po i ndryshon fjalët

00:05 | 15 Maj 2019

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është lajm shumë i mirë vendimi i gjykatës që të zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës së janarit.

Gjykata ka vendosur që 3 javët e humbura të mësimit gjatë grevës së janarit, do të kompensohen, njësoj siç kishte marrë vendim Ministria e Arsimit më datë 26 shkurt të këtij viti.

“Ky informacion për neve është i mirëseardhur për kompensimin e orëve. Kjo është e rëndësishme për nxënësit tanë. Frika jonë ka qenë që mos po shtyhej vendimi i gjykatës që mund të shkaktonte dëm në mos zhvillimi i orëve”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka thënë se tashmë në disa shkolla orët janë kompensuar, megjithatë ende ka shkolla që orët nuk janë kompensuar.

“Në takimin e fundit me drejtorët e DKA-së, kur pamë se s’kishte gatishmëri nga SBASHK-u për bashkëpunim atëherë vendosëm të mos komunikojmë më me ta. Konsideroj se pas këtij vendimi të gjykatës do të hiqen hezitimet nga ana e DKA-ve. Mendoj që masat që do të marrim nëpër shkolla të caktuara, është se ato mund të kompensojnë orët. Po ashtu edhe të shtunave mund të kompensohen, e po ashtu edhe pesë ditë më tepër jemi të gatshëm ta vazhdojmë”, ka thënë ai.

Bytyqi tutje ka shtuar se SBASHK-u po i ndryshon fjalët.

“Gjykata e ka refuzuar kërkesat e SBASHK-ut që ka treguar se vendimi i MASHT-it ka qenë i drejtë. SBASHK-u po i ndryshon fjalët, pasi kishin thënë se do të pranojnë secilin vendim të gjykatës. Ne kishim deklaruar se do të mbronim mësimdhënësit, por edhe sistemin arsimor. Mendoj se edhe SBASHK-u duhej ta bënte këtë derisa të realizoheshin të gjitha kërkesat. Ajo është dashur të jetë partnere edhe në zëvendësimin e orëve. Në ligjin e grevave askund nuk thuhet se orët duhet të kompensohen, por ne jemi thirrur në ligj të universitetit të lartë”, ka thënë Bytyqi. “Sistemi arsimor është shumë i veçantë, dhe nëse orët nuk kompensohen atëherë dëmtohen fëmijët. Kjo është diçka që do të gjykohemi në të ardhmen, e kjo ishte arsyeja se pse kemi insistuar në kompensimin e orëve.

Ai thotë se duhet të përmbushet norma për mbylljen e vitit shkollor.

“Çështja ligjore është ajo që i obligon të përmbushin normat e caktuara për mbylljen e vitit shkollor. MASHT-i mund të kërkojë që të mos mbajë asnjë test të maturës, nëse nuk është e caktuar norma. Ka pasur shumë ideja që prapa SBASHK-ut mund të ketë ndikime politike. Por, për mua ka qenë i paarsyeshëm insistimi i tyre për mos kompensimin e orëve. Duhet të kemi kujdes të dihet se kush është vendimmarrësi në sistemin arsimor. E ne duhet të mbrojmë sistemin arsimor”, ka thënë Bytyqi.

Ai thotë se nuk duhet asnjëherë të dëmtohen nxënësit për shkak të asaj greve.

“Ka qenë për t’u befasuar insistimi i tyre për mosmbajtjen e orëve që duhej kompensuar. Shpresoj se do të minimizohet humbja e orëve. Ne jemi për të respektuar të drejtat e mësimdhënësve, por jo të dëmtohen nxënësit”, ka thënë Bytyqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara