Apostolova kërkon pastrimin e institucioneve nga të korruptuarit

13:13 | 4 Tetor 2018

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar që zyrtarët e akuzuar për korrupsion të largohen nga institucionet. Madje, ajo ka bërë thirrje për miratimin e një sërë ligjesh, përfshirë edhe atë për largimin e zyrtarëve të akuzuar nga institucionet.

Këto deklarata përfaqësuesja e BE-së, i ka bërë në konferencën rajonale kundër korrupsionit. Ajo ka shtuar se me gjithë arritjet sa i përket aspektit legjislativ, Kosova ka ende hapësire për të bërë me shumë.

“Është me rëndësi të ketë ligje me standard të lartë dhe të realizohen kontrolle të brendshme. Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet kyç për BE-në në rajon”, ka deklaruar Apostolova.

Ajo ka thënë se luftimi i korrupsionit ndërlidhet direkt edhe me çështjen e liberalizimit të vizave.

E ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairí O’Connell është shprehur i shqetësuar se korrupsioni ka prekur shumë vende dhe po financon krimin e organizuar dhe terrorizmin në botë.

O’Connell ka deklaruar se pushtetarët me integritet të lartë mund t’i rezistojnë këtij fenomeni dhe të jenë shembull për gjeneratat e reja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara