Albin Kurti analizon letrën që Presidenti ia dërgoi Trumpit

15:45 | 8 Korrik 2019

Në janar të këtij viti, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i kishte dërguar një letër homologut të tij në SHBA, Donald Trump. Në atë letër Thaçi kishte shkruar se marrëveshja që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është shumë afër. E këtë letër të Thaçit e ka komentuar sot kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili e ka quajtur pazar sekret dhe projekt të dështuar

Kurti ka shkruar në Facebook se kanë kaluar gjashtë muaj prej kur Thaçi e ka dërguar këtë letër dhe nuk mori përgjigje.

Postimi i plotë:

“Siç kemi diskutuar në Paris – dhe siç u kam shpjeguar më në detaje Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Uashington – pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani.” (8 janar 2019)

Gjashtë muaj u bënë sot nga letra që ia dërgoi Presidentit Trump. Mirëpo Thaçi nuk mori përgjigje (paçka se aty shprehte edhe gatishmëri edhe vullnet për kompromiset e nevojshme).

Si na paska qenë afër marrëveshja që zgjidh të gjitha çështjet e hapura në mes Kosovës e Serbisë?! Pse nuk ka asnjë raport zyrtar nga presidenti as për institucionet dhe as për qytetarët e Kosovës mbi përmbajtjen e pozicioneve aq shumë të afruara me Serbinë? Çka qenka kjo gati-marrëveshje që i zgjidh të gjitha çështjet e hapura për dallim nga 33 marrëveshjet e dialogut paraprak gjashtëvjeçar?

Pazar sekret, sigurisht. Mirëpo, edhe projekt i dështuar, gjithsesi.

Nga protesta më e madhe e Kosovës së pasluftës “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” (mbajtur më 29 shtator 2018) e deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese që diskreditoi qeverinë, presidentin dhe ekipin e tyre rezervë për dialog (publikuar më 27 qershor 2019), të gjithë akrobatët e morën përgjigjen e merituar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara