Punësimi sezonal, mundësi e mirë për studentët kosovarë

12:04 | 10 Shkurt 2019 | Elona Haxhiu

Punësimi sezonal në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, shihet si një prej kërkesave më të mëdha të qytetarëve të Kosovës. Organizatat në vend që mundësojnë këto punësime janë konsideruar si projektet më të nevojshme për kosovarët.

E mundësinë sezonale jashtë vendit e ofrojnë shumë organizata këtu në Kosovë, njëra ndër to është edhe Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit në Kosovë, agjension ky i cili është në kontratë me ENT-in e punës në Gjermani dhe u mundëson studentëve të punojnë atje, shkruan arbresh.info.

Koordinatorja e Projekteve dhe Financave në APPK, Besa Shala – Miftaraj, për arbresh.info ka deklaruar se nga kompania e tyre ka shumë studentë të cilët interesohen, por që për pranimin e tyre numri është i limituar.

Veç kësaj ajo gjithashtu shpjegoi edhe kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një student për të qenë pjesë e programit.

“Numri i studentëve është diku 120 deri 150, pasi që ne edhe numrin e kemi të kufizuar të cilët kemi të drejtë me i pranu. Për te qenë pjese e programit tonë studenti duhet me qenë i regjistruar në fakultet, me qenë student tani, gjatë pushimeve semestrale dhe pas studimeve semestrale me i vazhdu studimet dhe kushti i dytë është me pas njohuri të gjuhës gjermane, së paku nivelin bazik. Domethënë ne jemi organizatë partnere e ENT-it shtetëror të punës në Gjermani, për ndërmjetësimin e studentëve për punë sezonale në Gjermani”, tha Shala- Miftaraj

Shteti i vetëm me të cilin kanë bashkëpunim APPK-ja është shteti i Gjermanisë. Ku siç deklaroi Shalaj-Miftaraj, punësimi në këtë vend bëhet me ndërmjetësimin direkt nga ENT-i i punës së shtetit gjerman.

“Për të shkuar studentët në Gjermani ekzistojnë dy mënyra, njëra është përmes ndërmjetësimit direkt nga ENT-I I punës, pra, studentët aplikojnë tek ne dhe ne e bëjmë një përzgjedhje paraprake dhe i dërgojmë dokumentet e tyre në Gjermani tek ENT-I I punës dhe ENT-I I punës e ka për detyrë që t’ua siguroj një vend të punës atje” deklaroi ajo.

Meqë Kosova ende nuk është anëtare e BE-së, mos liberalizimin e vizave i bën studentët të hasin vështirësi në këtë drejtim, pasi që ata shpeshherë mund të mos e sigurojnë terminin për vizë, nëse nuk aplikojnë në kohë të caktuar.

“Terminët për viza në ambasade janë të kufizuara, nuk e dimë saktë se sa i marrin, por qoftë se studenti aplikon gjatë muajit shkurt, mars deri në prill, e siguron një termin dhe mundet të shkojë, por nëse aplikon në fund të majit është e pamundur…” tha ajo

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Mustafë Kadriaj, konsideroi se punësimi sezonal është ideja më e mirë që shteti i Kosovës do ta mundësonte për të rinjtë.

Kurse largimin e përhershëm të studentëve nga Kosova, ai e quajti si propagandë nga disa kompani fiktive të cilat tentojnë t’i largojnë të rinjtë nga Kosova.

“Punësimi sezonal për student është ideja më e mirë që Qeveria do ua mundësonte me ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me vendet e BE-se ku me këtë arrihen dy qëllime pozitive njohja me përvoja nga perëndimi, po ashtu edhe nuk do të largohen nga Kosova. Pra do të ishte ndihmë për studentët që të krijojnë të ardhura për vazhdimin e studimeve njëherit duke kursyer buxhetin familjarë, po ashtu pa u bë barrë e shoqërisë. Njëherit do te ishte masë preventive për largim masiv te rinisë nga Kosova sepse duke iu dhënë mundësia që të kenë punësim sezonal ngritet vetëdija qe punësimi është sfidë ku do qe shkon, pra, nuk të shtrohet tapeti i kuq ashtu siç propagandojnë kompanitë fiktive që tentojnë të i largojnë të rinjtë nga Kosova”, tha Kadriaj

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2018, shkalla e papunësisë në shtetin e Kosovës është 30.7%./Arbresh.info/E.Haxhiu/

Shpërndaje në rrjete sociale