“Përgjimet në emër të Bllacës”, gazetari Musliu i quan “përgjime të kota dhe përpjekje të dështuara për shantazh”

18:34 | 5 Dhjetorë 2017

Ish-agjenti i vetëshpallur i SHIK-ut,  dhe i dënuari për vrasjen e  Ibush Kllokoqit, Nazim Bllaca ka shpërndarë disa përgjime tek mediat, përmes një e-mail privat, ku nuk mund të dëshmohet autenticiteti i saj.  Shaban Syla është njëri ndër të dënuarit e rastit Bllaca 2. Në këto përgjime dëgjohet duke  biseduar Shaban Syla, i cili gjendej në burg dhe gazetari Betim Musliu, i cili bisedon për ta intervistuar rreth rastit Nazim Bllaca, temë kjo, të cilën e kishte trajtuar në emisionin e tij “Betimi për Drejtësi”.

Bllaca në emailin e dërguar në media pretendon se prej vitit 2009  është ballafaquar  me grupe kriminale të  udhëhequra nga Azem Syla.

Sipas tij, ka pasur fushata të ndryshme në media dhe emisione kundër tij.

“Kam zbulu qe gazetar te caktum jane pagu nga Shaban Syla per me ba fushat kunder meje. Po ju deshmoj me za edhe prova se qysh jane pagu kta gazetar”, ka shkruar Bllaca.

Në përgjimet e mëposhtme, mund të dëgjoni biseda të Shaban Sylës me gazetarin, Betim Musliu, rreth aranzhimit të disa intervistave televizive.

Në dy përgjimet të tjera, flet Shaban Syla me djalin e tij, për t’i ofruar ryshfet gazetarit Musliu. Në njërën nga bisedat Shabani i thotë djalit të tij që t’ia ofrojë gazetarit Musliu 500 euro, ndërsa në një bisedë tjetër i thotë që t’ia blejë një kat të teshave. Por, djali i Shaban Sylës, Leotrim Syla, në përgjigjet e tij, i thotë se gazetari Musliu nuk e han hiq hiq që të korruptohet, madje as për një mbushje e lëre më 500 euro.

Gazetari, Betim Musliu, i kontaktuar nga arbresh.info thotë se përmbajtja e këtyre përgjimeve përveç që është qesharake dhe dëshmon profesionalizmin në punën e tij si gazetar, ai akuzon akuzon sistemin e drejtësisë, pasi sipas tij, këto përgjime i kanë publikuar një grup kriminal i sistemit të drejtësisë, të cilët afektohen nga hulumtimet e tij dhe ekipit të tij.

“Kjo besoj nuk ka lidhje me Nazim Bllacën po ka të bëjë me një numër të prokurorëve, të cilët i kanë pasur në duar këto përgjime dhe më luftojnë qe disa vite,” është shprehur Musliu.

Ai përgjigjet edhe për ryshfetin që është diskutuar nga Shaban Syla dhe djali i tij për t’ia ofruar Musliut. Sipas Musliut, titujt e videove janë shkruar me përmbajtje skandaloze, por në përmbajtje dëshmohet e kundërta e qëllimit që e kanë pasur sipas tij grupet kriminale.

“Në përgjimin në mes të Shaban Sylës dhe djalit të tij, shihet se si Shabani i thotë djalit, të më korruptojë mua, por që djali ja kthen në mënyrë kategorike përgjigjen dhe i thotë që “ai (betim musliu) nuk e han hiç hiç. Pra, përmbajtja dëshmon të kundërtën e synimit që e kanë pasur ky grup kriminal, i cili i ka nxjerr këto përgjime në publik,” shprehet Musliu për arbresh.info.

Më poshtë gjeni videot e përgjimeve, dhe menjëherë pas tyre, e keni reagimin e plotë të gazetarit, Betim Musliu.

VIDEO 1

Shaban Syla: Ohh shoq, qysh je oh shoq?

Betim Musliu: Po a je gjallë?

Shaban Syla: Unë gjallë, po ti ku je që s’po të nihet zani kërkun?

Betim Musliu: Vallah qat’her kur thirrshe kesh…

Shaban Syla: E di çka…Kon…

Betim Musliu: Intervistu kesh këtë far Visarin, Duriqin

Shaban Syla: Po a? Ah, mirë mirë.

Betim Musliu: E ai i ka qit do far letra.

Shaban Syla: Po po e di. Po (nuk kuptohet) kur?

Betim Musliu: Të mërkurën, ne past shkru i madhi Zot.

Shaban Syla: Po merr ma shumë o vlla, (nuk kuptohet) edhe avokatat

Betim Mulsiu: Po, po avakotata. Nesër flasim me ta, edhe të mërkurën tani, me një pjesë të tyne, se jo me krejt, jemi në studio.

Shaban Syla: Ah, në studio! Me një pjesë, jo me krejt a?

Betim Musliu: Jo, me do. Duhet me i thirë njo dy, a tre.

Shaban                 Syla: (Nuk kuptohet) Tahir Rrecaj u kon mirë me thirrë.

Betim Musliu: Pse Tahirin, kon e ka mbrojtë Tahiri.

Shaban Syla: Tahiri, Fahredin Gashin

Betim Musliu: A Fahredinin e ka mbrojt a?

Shaban Syla: Po, po.

Betim Musliu: E Tahiri vallah o kogja i mirë.

Shaban Syla: E për qata po thom. Thirre Tahir Rrecën, Ramiz Krasniqin gjithqysh duhet

Betim Musliu: Nji far Sadik Abazi ish kogja i kthejllt edhe kish gjana të reja.

Shaban Syla: Kush, cili?

Betim Musliu: Sadiki

Shaban Syla: Po, po edhe Naim Qelaj

Betim Musliu: Naimin? Pe kqyri Tahirin, se Tahiri o kogja avokat i mirë masi që u kon.

Shaban Syla: U kon në dy procese. Ramiz Krasniqin gjithqysh.

Betim Musliu: Ramizin?

Shaban Syla: Po, gjithqysh duhet me kon Ramizi.

Betim Musliu: Se di a vjen ai.

Shaban Syla: Vjen meniher ai, menjëher vjen ai.

Betim Musliu: E kqyri se nuk muj me i marrë ma shumë se dy, tre.

Shaban Syla: U bo, u bo pra. Normal, ti e din ma mirë. Të përshëndes.

Betim Musliu: Hajde me t’mira

VIDEO 2

Betim Musliu: Allo

Shaban Syla: Shoq, se harrova diçka met thënë, i thash avokatëve thanë munden. Unë si dëshmitar kyç, Qazim Shabanin nëse don edhe qysh o shku Bllaca i ka lyp 100 mijë euro për rastin tonë, për rastin e Adem Salihit ka qenë dëshmitar i gjyqit i Qazim Shabanit me numër  112 *** , tu kisha lut për hir të drejtësisë dhe korrektisë ta marrësh në pyetje.

Betim Musliu: E shoh kismet.

Shaban Syla: Ani shkruje 112 ***,

Betim Musliu: 112 ***

Shaban Syla: Qazim Shabani, ai u kon dëshmitar në gjyq

Betim Musliu: U kry. Nëse o dëshmitar, është në letra.

Shaban Syla: Është dëshmitar i gjyqit. Hajde!

Betim Musliu: Hajde!

VIDEO 3

Shaban Syla: Hej qa bone, na a din qysh jena, a e ke pa kur të bjen zhuga

Betim Musliu: Hahaha (nuk kuptohet…)

Shaban Syla: A ja ke nisë, a e ke qitë pikën naj kun a?

Betim Musliu: Ohh jo, pasha Zotin.

Shaban Syla: Pse more vllai jem?

Betim Musliu: Menojsha me kry, për sonte me bo. M’ka ra gripi.

Shaban Syla: Ahh, gripi. Gripi i myti krejt.

Betim Musliu: Edhe prej të mërkurës kur jom kon. Prej juve,  jam kon shtrit në krevet s’kom livrit hiq.

Shaban Syla: Ani nashta ban ma mirë. Pije naj paracet ta hup krejt.

Betim Musliu: Jo,  jom kon te mjeku edhe nuk e qiti kurqysh hiq, më ka dhënë antibiotika.

Shaban Syla:Phaa, e tash kur don me ja nis, se shqiptari veç punën e vet e kqyr. Se kqyr kurr punën e huj.

Betim Musliu: Si t’kthjellna nji trohë, besoj që ka e hanja, e martja duhet me u kry. E tani, s’po di kur e qesim. E kqyrim me ata të RTK-së .

Shaban Syla: Po a?

Betim Musliu: Të mërkurën unë  e kam terminin e rregullt, t’mërkuren nuk shkon s’besoj.

Shaban Syla: Po?

Betim Musliu: Po ka mundësi (nuk kuptohet..)

Shaban Syla: Qata mos e le pa e intervistu se qajo o e fort a? Qata me Mejdi  Krasniqin 112 ***

Betim Musliu: Po, po të kqyri, se të kallxova une që s’muj e zgatëm shumë.

Shaban Syla: E di, e di. A s’mun me qitë dy herë, ka gjys a?

Betim Musliu: Jo se bohet tepër, ashtuh, i bjen sikur ka naj sen.

Shaban Syla: Po. Po, po, po.

Betim Musliu: Nuk bon.

Shaban Syla: Hajde ta ha zemren.

Betim Musliu: Hajde, me t’mira.

Shaban Syla: Hajde, të përshëndes shumë a. Ishalla të kalon gripi sa ma shpejtë .

Betim Musliu: Oh faleminderit!

Shaban Syla: Hej, hej edhe niher duhet me bo buj për arrest.

Betim Musliu: Po po temën e arrestit e kqyri se ajo ke budallaki.

Shaban Syla: Po budallaki, po ajo duhet me bo buj a.

Betim Musliu: Po po, se a është e ligjshme  (nuk kuptohet..)

Shaban Syla: E di që është e ligjshme. Sen të paligjshme, Shaban Syla në paqt lyp najher qa dush ki veq  veç që është e ligjshme. A me dasht ti, me dasht ti, unë e di sa ki autoritet, sa ki fuqi jo për me ma majt anën mu, me ma majt anën mu unë nuk të lypi kurrë.

Betim Musliu: Jo more çfarë (nuk kuptohet….)

Shaban Syla: Kështu ma mirë burrnisht.

Betim Musliu: Qashtuh, qashtuh! Jo, jo, qa të thotë ligji kemi e njek, këna me thonë…

Shaban Syla: Ma s’miri letrat flasin. Janë letra të gjykatës edhe të policisë , jo fjalë. Hajde, të dua shumë.

Betim Musliu: Hajde me të mira

VIDEO 4

Leotrim Syla: Allo

Shaban Syla: Hej, gjoja numrin e Viberit, numrin e atij. Mos e paq ti, po ta jap une, e lidhu me to.

Leotrim Syla: Po e kom, 279 ***

Shaban Syla: Po, po ngom. Qe don thuj me dal me pi nji kafe, në telefon mos fol. A pe bon buj thuj 500 euro i ki prej neve djemme bo pak buj, me dridh tokën.

Leotrim Syla: Hiq, hiq se han ai.

Shaban Syla: Jo a?

Leotrim Syla: Edhe atëher e kom pas provu me ja lshu nji mbushje se ka hongër kurrqysh.

Shaban Syla: Jo a?

Leotrim Syla: Hiq, hiq s’bon ai.

Shaban Syla: Jo a?

Leotrim Syla: Jo vallahi.

Shaban Syla: Po thuj, na vetë po dojmë.

Leotrim Syla: E thirri breh une, e thirri.

VIDEO 5

X: Allo

Shaban Syla: Ku je shoq

X: Qeh, n’Komoran

Shaban Syla: Thirre Betimin, qitja nji kafe edhe thuj nji par tesha kur të dush. Mos i thuj që kom thon une.

X: Po.

Duke sikur është prerë përgjimi

Shaban Syla: E di unë, po ti thuj qashtuh. Pije naj kafe. Thuj ti je real, edhe i ki nji par tesha, kur të dush.

Reagimi i gazetarit Betim Musliu rreth këtyre përgjimeve

arbresh.info: Si e komenton përmbajtjen e këtyre përgjimeve?

Betim Musliu: Përmbajtja e përgjimeve është skandaloze jo në kuptim të përmbajtjes se çka thuhet po në kuptim të daljes në publik. Për vite të tëra personalisht kam qenë subjekt i kërcënimeve dhe përpjekjeve për shantazhe nga shkelës të ligjit në sistemin e drejtësisë që kanë amnistuar vepra penale për shkak të punës time si hulumtues. Para disa vitesh kam pasur edhe kërcënime me jetë dhe i kam denoncuar kërcënuesit, të cilët janë dënuar nga gjykata me gjobë. Tash ka disa vite që një grup i strukturuar mirë në sistemin e drejtësisë, të cilët janë subjekt të shumë procedurave për shkak të shkeljeve ligjore, mundohen të lëvizin çdo guri për të më persekutuar në çdo formë. Por çdo përpjekje e tyre ka dështuar dhe dështon përkundër përpjekjeve maksimale që të bëjnë çmos kundër meje. Dhe këtu e kam një avokat të fortë që më ndjek pas gjithmonë, dhe avokati i fortë është e vërteta e punës time.

Tani këto përgjime janë lëshuar në emër të kinse Nazim Bllacës. Kjo besoj nuk ka lidhje me Nazim Bllacën po ka të bëjë me një numër të prokurorëve, të cilët i kanë pasur në duar këto përgjime dhe më luftojnë qe disa vite. Po të analizohen karakteristikat e shprehjeve të Nazim Bllacës kur ka shkruar imella sa ka qenë aktiv në media e sheh që shprehjet e tij nuk ato që janë shkruar tani në këtë imell. Kjo pra dëshmon që janë ky grup kriminal që ka dështuar dhe do dështoj në të gjitha format në raport me mu, bën përpjekje që në publik të tentojë të nxjerr diçka që mund të duket si e pahijshme në raport me mua.

Shembull në këto përgjime të publikuara, në titullin e secilës audio, kanë vendosur tituj bombastik, duke përmendur edhe ryshfete, por kur hyn e dëgjoni përgjimin, atëherë e shihni një komunikim puro profesional në mes të një gazetari dhe një pale, e cila do të jetë subjekt i një intervistë, e cila është transmetuar në emision dhe të cilin e kanë parë të gjithë publiku.

Për më tepër, kjo strukturë kriminale që i kanë publikuar këto përgjime me një synim të keq ndaj meje, janë dëshmuar të padijshëm edhe në kuptim të realizimit të qëllimit të tyre. Në këto përgjime i përgjuar ka qenë Shaban Syla dhe jo vetëm unë por edhe 10 gazetarë të tjerë që kanë folur dhe kanë bërë intervista me Shaban Sylën jemi përgjuar. Përveç që është një komunikim normal dhe profesional në mes meje dhe Shaban Sylës, ata që kanë synuar të më dëmtojnë më kanë bërë një nder në publik. Në përgjimin në mes të Shaban Sylës dhe djalit të tij, shihet se si Shabani i thotë djalit, të më korruptojë mua, por që djali ja kthen në mënyrë kategorike përgjigjen dhe i thotë që “ai (betim musliu) nuk e han hiç hiç. Pra, përmbajtja dëshmon të kundërtën e synimit që e kanë pasur ky grup kriminal, i cili i ka nxjerr këto përgjime në publik. Se publikimi i këtyre përgjimeve është një agjendë e dështuar e dështakëve të korruptuar të prokurorisë, të cilët zyrtarisht dhe jozyrtarisht i kanë pasur në duar këto përgjime, dëshmon fakti se asnjë prej përgjimeve të komunikimeve normale të 10 gazetarëve tjerë nuk janë publikuar, por jam përzgjedhur vetëm unë. Dhe këto përgjime qesharake, kanë vendosur t’i publikojnë, pak para se të nisë konferenca e IKD-së “Ora kundër korrupsionit” në “Javën Kundër Korrupsionit 2017”, ku janë prezantuar raste konkrete të korrupsionit, në të cilat kanë dështuar prokuroria të ndjekin të fuqishmit. Kjo është edhe një përpjekje dëshpëruese e këtyre mercenarëve që janë strukturë kriminale brenda sistemit të drejtësisë. Ata janë frikësuar nga “Java Kundër Korrupsionit” ku IKD së bashku me gjashtë organizata tjera si GLPS, GAP, INPO, ÇOHU, KIPRED dhe COLUMBUS janë duke prezantuar raste konkrete, për të cilat nuk kanë pasur dhe nuk kanë guximin të ballafaqohen me hulumtimet tona.

arbresh.info: Kush mendoni që qëndron prapa gjithë kësaj?

Betim Musliu: Prapa publikimit të këtyre përgjimeve qëndron një grup i strukturuar e korruptuar në sistemin e drejtësisë, të cilët janë afektuar nga hulumtimet e mia. Nuk presë lula dhe thurrje lëvdatash për punën dhe kontributin që jap në sundimin e ligjit, sepse vazhdimisht godas këto struktura politike e kriminale brenda sistemit të drejtësisë. Pra, presë këso reagime, të cilat nga ta kur vijnë janë normale. Përkundrazi janë motiv sepse kjo është dëshmi se puna e IKD-së dhe emisionit “Betimi për Drejtësi” prodhon ndikim në goditjen e grupeve kriminale brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë.

arbresh.info: Si e komentoni faktin që  përgjimet, të cilat vetëm organet drejtësisë dhe policia kanë qasje në to kanë kaluar në duar të Nazim Bllacës?

Betim Musliu: Kjo përbën skandal për sigurinë juridike. Imagjinojeni këtu nuk jam unë person i përgjuar dhe bisedat e mia si gazetar publikohen në media me qëllim që ndaj meje të krijohet një shantazh, duke pretenduar që edhe përmbajtjen e pastër të përgjimeve ta përkthejnë në tituj të audiove si skandaloze dhe denigruese për mua. Pra, sot asnjë qytetarë i Republikës së Kosovës nuk ka siguri juridike me këtë prokurori, e cila strukturën udhëheqëse prej Kryeprokurorit të Shtetit e te poshtë e ka të kontrolluar nga politika, përkatësisht nga klani pronto.

Prokuror të caktuar kanë qenë të informuar deri në detaje për këto përgjime, në të cilat unë dhe 10 gazetar që e kemi intervistuar Shaban Sylën jemi përgjuar duke diskutuar për punën tonë dhe kaq. Dhe është tmerrësisht shqetësuese që ky klan kriminal në sistemin e drejtësisë është shndërruar në mjet shantazhi me këto metoda në raport me qytetarët e Republikës së Kosovës. Në të gjitha rastet në raport me mu këta janë dështakë, por imagjinojeni se çfarë ndodhë me qytetarët e rëndomtë me bizneset etj. Kjo është dëshmi se sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika dhe grupe kriminale e të korruptuara, të cilët ndjekin kundërshtarët politik dhe kritikët që bien në kundërshtim me interesat e tyre.

Në këtë rast, poqëse do të kishim një Kryeprokuror të Shtetit të pavarur, që fatkeqësisht nuk e kemi, por e kemi një Kryeprokuror politik dhe të grupeve të interesit, atëherë do të zhvilloheshin hetime ndaj rrjedhjes së këtyre përgjimeve në publik, të cilat nuk kanë asnjë përmbajtje inkriminuese por që janë nxjerr vetëm me qëllim të dëmtimit tim në publik, por që në fakt çdo që e bëjnë publike të jetës time, vetëm nder më bëjnë dhe asgjë tjetër.

/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale