Kryeministri Haradinaj shpalos programin qeverisës 2017-2021

11:30 | 7 Dhjetorë 2017

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën e sotme ka shpalosur planin qeverisës për vitin 2017-2021. Ai ka thënë se qeveria e Kosovës është i të gjithëve, pa dallim etnie, gjinie e rajoni, shkruan arbresh.info.

Haradinaj ka shpalosur edhe shtyllat ë të cilat është fokusuar Qeveria me planin e saj, duke përmendur, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, rritjen e qëndrueshme ekonomike, politikën e jashtme dhe integrimet auro-atlantike, integrimin në BE dhe zhvillimin sektorial.

Para deputetëve ai ka folur edhe për secilën shtyllë veç e veç.

“Sundimi i ligjit- Institucionet e zbatimit të ligjit do të reformohen dhe avancohen kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të zgjidhen rastet e shumta që kanë vonesa në trajtim, shpresoj që do të rregullohet edhe imunitetit i deputetëve që mos t’i shohim si tani që disa deputetë po i shohim në pranga.

Zhvillimi Ekonomik- Vizioni ynë është rritja e mirëqenies dhe hapja e vendeve të reja të punës, zhdukja e varfërisë, rritja ekonomike prej 5 deri në 7 për qind. Do të realizojmë projekte të mëdha zhvillimore, rritja e të hyrave buxhetore do të bëhet përmes eliminimit të evazionit fiskal, nuk do të ketë rritje të normave të tatimeve dhe të doganave.

Rritja e qëndrueshmërisë ekonomike- Për tërheqjen e investimeve do të sigurojmë sundim të rendit dhe të ligjit, do të zgjidhim problemin e energjisë elektrike, qeveria e Kosovës do ta ketë ofertën e  qartë dhe kredibile për investitorët, buxheti i Kosovës do të jetë stabil dhe i balancuar

Politika e jashtme dhe integrimet euro atlantike- Qeveria e Kosovës do të investojë në thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në dhe vendet e BE-së, dialogun me Serbinë ne synojmë marrëdhënie fqinjësore edhe me Serbinë, do të përmbyllim suksesshëm dialogun me Serbinë. Dialogu duhet të ketë afatizim kohor dhe emri duhet të jetë njohja reciproke.

Integrimi në BE- Për një kohë të shkurtë do të përshpejtojmë liberalizimin e vizave, do të përmbushim kriteret, do të themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës.

Zhvillimi Sektorial- Do të vendosim norma që janë në përputhje me standarde, nuk do të ndodhë që hulumtimet ndërkombëtare ta nxjerrin Kosovën në nivele që e kanë nxjerrë deri më tani”, ka thënë Haradinaj./arbresh.info/